Ministri Tahiri: Do të konfiskohet çdo pasuri e fituar me vepër penale
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka prezantuar në një konferencë për medie, Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë.
Ai ka bërë me dije se nesër ky projektligj do t’i dorëzohet Qeverisë.
Tahiri ka thënë se ky projektligj mbetet më i rëndësishmi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai ka thënë se çfarëdo pasurie e cila është fituar me vepër penale dhe kap shifrën 10 mijë euro do të konfiskohet. “Ky projektligj është ndër më të rëndësishmit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky projektligj përçon një mesazh të rëndësishëm për të gjithë ata që me vite janë pasuruar me vepra penale. Jam i bindur se me këtë projektligj po e bëjmë hapin përfundimtar ndaj atyre që janë pasuruar me vepra penale. çdo gjë do të konfiskohet përderisa nuk është fituar në mënyrë të ligjshme. Pra, çdo pasuri që kap vlerën 10 mijë euro do të konfiskohet. Për vitin 2018 është rritur stafi dhe do të jenë 300 punëtorë të rinj. Jemi në proces të rekrutimit edhe të 39 gjyqtarëve të rinj gjatë këtij viti”, ka thënë ai.
Tahiri ka theksuar se me anë të miratimit të këtij ligji do të jenë konform direktivave të BE-së dhe sipas tij, me anë të këtij ligji do të luftohet krimi dhe korrupsioni.
Ai ka bërë me dije se rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave do të jetë pozitiv, pasi që siç tha ai, Kosova la arritur ta plotësojë kushtin për sekuestrimin e pasurisë.
“Besoj që komisioni është i kënaqur me vlerësimin e raportit. Ne si Qeveri, si institucione kemi arritur ta plotësojmë këtë kusht tejet të rëndësishëm. Pres që rekomandimin ta kemi pozitiv sepse është bërë punë shumë e madhe në këta gjashtë muajt e fundit”, është shprehur Tahiri.
/Epoka e re/ A. MAVRAJ/