Ministri turk i Mbrojtjes vjen në Kosovë për ‘konkretizim projektesh’ derisa Erdogani qëndron në Beograd

11 tetor 2024 | 16:05

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler.

Ai ka thënë se Güler e ka sjellë me vete mesazhin e Turqisë për Kosovën se është e interesuar të japë kontributin për sigurinë në rajon dhe për sovranitetin e sigurinë e Kosovës.

“Mesazhi i tij se Turqia është e interesuar që të vazhdojë të japë kontributin e saj në stabilitetin e rajonit, integritetin, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës, është konfirmim i mbështetjes që nuk na ka munguar asnjëherë në secilën periudhë të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës”.

Maqedonci ka thënë se diskutimet për investim në industrinë e mbrojtjes “që së shpejti priten të konkretizohen në projekte të realizueshme përbëjnë një lajm të rëndësishëm për vendin”.

“Bashkëpunimi i vazhdueshëm që kemi me Turqinë, e bën atë partnere të pazëvendësueshme të shtetit tonë”, ka thënë ai.

Vizita e ministrit turk të Mbrojtjes vjen në kohën kur në Beograd po qëndron presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili ka zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Erdogan atje ka thënë se marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe Serbisë janë në “kohë të artë”, ndërsa presidenti serb  ka thënë se është arritur pajtueshmëri për t’i përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe atë ushtarake.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ditë më parë…