Ministri Veliu dhe drejtori i Policisë bisedojnë për situatën me Covid
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka pritur të hënën në takim drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtorin e Operativës, Afrim Ahmetaj.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për rritjen e numrit të qytetarëve të infektuar me Covid-19 si dhe për konsultimet dhe vendimet e fundit që u morën nga Qeveria e Republikës së Kosovës në lidhje parandalimin e virusit, në veçanti për zbatimin dhe funksionalizimin sa më të mirë të Planit të ri Operacional të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, në këtë takim u vendos që Policia e Kosovës përsëri të kalojë në orarin 12-orësh për ta pasur në kontroll të plotë situatën.
Policia e Kosovës do të kujdeset që të shqiptojë dënime konform ligjit për të gjithë ata qytetarë që nuk i respektojnë masat.
Në fund të takimit, Qalaj e njoftoi ministrin Veliu se do t’i ftojë në takim të gjithë drejtorët rajonalë të Policisë së Kosovës për të diskutuar konsultimet dhe vendimet e sotme, si dhe të merren masat e menjëhershme për parandalimin e kësaj pandemie për hir të ruajtjes së shëndetit publik.
Ministria e Punëve të Brendshme bën thirrje te të gjithë qytetarët që të jenë së bashku në ndihmë të njëri-tjetrit, që të zbatohen udhëzimet e masat e qeverisë e të profesionistëve shëndetësorë, në mënyrë që ta fitojmë luftën kundër virusit me sa më pak dëme.
(M.Q / Epoka e re)