Ministri Veliu falënderon OSBE-në për përkrahjen dhënë Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka pritur sot në takim njoftues ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.
Siç njofton kjo ministri, në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e mirë që kanë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike me misionin e OSBE-së në Kosovë.
Me këtë rast, ministri Veliu ka falënderuar Braathu për përkrahjen që ka dhënë OSBE-ja për MPBAP-në, me theks të veçantë për Policinë e Kosovës dhe Akademinë për Siguri Publike, në realizmin e projekteve konkrete që kanë të bëjnë me zbatimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.
Ministri Veliu ka theksuar se ministrinë do ta bëjë institucion të besueshëm për qytetarët e Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Ndërsa, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka theksuar se OSBE-ja do të vazhdojë më tutje në përkrahje të institucioneve të Republikës së Kosovës për krijimin dhe ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.
Në fund u dakorduan që të intensifikohen takimet për të thelluar bashkëpunimin mes Ministrisë dhe OSBE-së.
/Epoka e re/