Ministri Veliu, i përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit më Zyrën e BE-së në Kosovë
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka pritur në takim njoftues shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Në këtë takim, ministri Veliu e ka njoftuar Apostolovën me prioritet e tij si ministër dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, përfshirë riorganizimin e ministrisë, buxhetin, forcimin e luftës kundër çdo krimi të organizuar dhe korrupsionit, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.
Gjithashtu, ministri Veliu ka theksuar se kjo ministri është e përkushtuar për të avancuar më tej bashkëpunimin me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe vazhdimin e angazhimeve për menaxhimin e procesit të liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Më tutje, ministri Veliu është zotuar se do të punojë maksimalisht që këtë institucion ta bëjë të besueshëm, profesional dhe kredibil për qytetarët e Kosovës, regjionin dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.
Ndërsa Nataliya Apostolova, ka uruar ministrin Veliu për detyrën e re dhe ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës për sa i përket zbatimit të MSA-së dhe Agjendës së Reformës Evropiane.
Po ashtu, Apostolova e ka njoftuar ministrin Veliu për një sërë projektesh që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të përfitojë prej tyre.
/Epoka e re/