Ministri Vitia takon kryetarin e Shtimes, planifikohen mbi 5 milionë euro investime
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vazhduar takimet dhe vizitat në komunat ku së shpejti do të fillojnë investimet në sektorin e shëndetësisë.
Ai të të martën ka vizituar komunën e Shtimes ku është planifikuar ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka ndarë buxhet në vlerë prej 1 milion e 250 mijë euro, si dhe ndërtimi i Entit Special në këtë komunë për të cilin janë ndarë 4 milionë euro.
Gjatë takimit me kryetarin e komunës së Shtimes, Qemajl Aliu dhe kabinetin e tij, ministri Vitia ka thënë se përveç planifikimit për ndërtimin e projekteve kapitale, mbetet i përkushtuar për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Komunës së Shtimes.
“Ishte kënaqësi takimi me kryetarin Aliu. Me projektet e reja të cilat u prezantuan nga kryetari dhe drejtori i shëndetësisë, është tregues se në shëndetësi qytetarët e Shtimes në të ardhmen do të kenë shërbime shumë më cilësore. Sot biseduam edhe për dy projekte me rëndësi, siç janë ndërtimi i Entit Special dhe i QKMF-së në këtë komunë, projekte të cilat do të jenë në fokusin tonë dhe prioritete si Ministri e Shëndetësisë”, ka thënë ministri Vitia.
Nga ana e tij, kryetari i komunës së Shtimes shprehi falënderimin për angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë që komuna e Shtimes të ketë investime të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë.
Pas këtij takimi, së shpejti do të mbahet edhe një takim i radhës me të gjitha ministritë e linjës për të definuar procesin dhe përgjegjësitë në kuadër të shtimit të kapaciteteve dhe shërbimeve shëndetësore, si dhe ndërtimin e Entit Special dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunën e Shtimes.