Ministri Vitia viziton Klinikën e Kardiologjisë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i shoqëruar edhe nga kryesuesja e Bordit të ShSKUK-së, dr. Aida Rexhepi dhe u.d. drejtoresha e ShSKUK-së, dr. Pranvera Zejnullahu- Raci kanë vizituar sot Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.
Gjatë kësaj vizite, ministri Vitia ka vizituar edhe Shërbimin e Kardiologjisë Invazive dhe Njësinë Intensivë të kësaj klinike, ku gjatë bashkëbisedimit me udhëheqësit dhe stafin mjekësorë të klinikës, drejtori i klinikës së Kardiologjisë, dr. Lulzim Kamberi e ka informuar ministrin se kjo klinikë është ndër të parat që ka rregulloren e brendshme të punës, e cila ka lehtësuar trajtimin e pacientëve në këtë klinikë.
Kamberi ka paraqitur statistikat e punës, duke theksuar se planifikohet që të rritet vëllimi i punës edhe pas orës 13:00 në Shërbimin e Kardiologjisë Invazive për rastet elektive, me që për rastet urgjente punohet 24 orë.
Ministri Vitia ka thënë se është në dijeni që ka pasur fluks të madh të pacientëve, duke përgëzuar stafin për punën, nga se brenda një viti në këtë klinikë janë trajtuar mbi 6 000 pacientë, kurse e gjithë Klinika Interne ka trajtuar 8 000 pacientë.
Gjatë kësaj vizite, u tha se do të shikohet mundësia e investimeve në infrastrukture, në drejtim të zgjerimit të kapaciteteve.