Ministri Zemaj dhuron gjak, flet për lirimin e masave kundër Covid-19
Për nder të 14 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Dhurimit Vullnetar te Gjakut, në Prishtinë janë vendosur tendat e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për të dhuruar gjak në mënyrë vullnetare.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka dhuruar gjak në njërën nga tendat e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.
Pas dhurimit të gjakut, Zemaj ka dhënë edhe një mesazh për qytetarët e Kosovës.“Dhuroni gjak, shpëtoni jetë për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Zemaj.
Më tutje, Zemaj ka folur edhe për rastet e infektuara me koronavirus në ndërmarrjet publike, për të cilat ka thënë se janë duke i analizuar.
“Në Korporatën Energjetike të Kosovës siç ka ndodhur në Telekom, nuk do të lejojmë rikthim të virusit. KEK-u ka qindra sektor dhe nuk do të lejojmë përhapje të virusit. Kjo na ka ndodhur ne Telekom, mirëpo këtu nuk do të lejojmë të na ndodhë”, ënjtë shprehur Zemaj , duke shtuar se pavarësisht rasteve të fundit me Covid-19 nuk do të ketë rikthim të masave rigoroze.
“Masat janë të hapura dhe lirimi i tyre konsiston në moskujdesin e përgjithshëm dhe kjo është diçka e pritshme. Rikthim nuk do të ketë. Dashtë Zoti të jemi të përgatitur për ndonjë valë shumë shpejt dhe do të kalojmë në testime masive”, është shprehur Zemaj.
“Për të gjithë Republikën e Kosovës ne do të tentojmë të mos kemi rikthim të masave. Mërgata është në vlugun e ardhjes së tyre. Në lokale do të ketë edhe inspektime dhe 200 profesionistë shëndetësorë do të bëjmë të mundshme që këto vizita të jenë orë pas ore”, ka thënë Zemaj.