Ministri Zemaj ‘përplaset’ me deputetët e LV-së
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë raportimit të tij rreth menaxhimit të pandemisë Covid-19 në Kuvend, ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, se janë shkaktarë për rritjen e numrit të rasteve të reja me koronavirus.
Kjo pasi që deputeti i LV-së Shpejtim Bulliqi tha se gjatë kohës sa ishte Qeveria Kurti kishte nga pesë të infektuar në ditë.
“Ja rikujtoj zotit Zemaj se në ditën e parë të punës së tij kanë qenë pesë të infektuar ndërsa vetëm mbrëmë kanë qenë 216”, ka thënë Bulliqi.
Pas kësaj deklarate ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Ai ka thënë se nëse seanca mbyllet për media dhe publikun, atëherë mund të lexojë emrat e personave të infektuar nga radhët e LV-së.
Madje, ai ka pohuar se vetë deputetët e LV-së kanë simptoma se janë infektuar.
“I nderuar deputet pas karantiminit të plotë ka qenë edhe pesë edhe dy raste, jo vetëm këtu po në të gjithë botën. Ajo më e keqja ka ndodhur pas datës 12 qershor. Mbylleni seancën edhe ua lexoj me emra anëtarët e juaj që janë të infektuar me Covid pas datës 12 qershor. Mbylleni seancën ua lexoj me emra e mbiemra. Ju jeni persona kontakti, ecni e bëni testet. Pse po ikni nga testet? Ti je me simptoma. Në sy shihesh se ke simptoma, pra sytë të tregojnë se ke simptoma”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LV-së, Arbërie Nagavci.
“Ministër të lutna kujdes për fjalorin që e përdor me deputetët. Si e merr guximin një ministër i Shëndetësisë të thotë që e dallon në sy se ka simptoma”, ka thënë Nagavci.