Ministri Zemaj nis vizitat nëpër komuna
Në kuadër të vizitave nëpër komuna, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj të mërkurën ka qëndruar në Gjilan.
Gjatë takimit me kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Zemaj ka treguar se në këtë takim kanë biseduar për situatën aktuale me pandeminë Covid-19 dhe koordinimin që kanë si ministri me komunat për menaxhimin sa më të mirë të situatës aktuale.
“U zotuam që Qeveria e Kosovës do të jetë pranë qytetarëve në këtë betejë me të cilën po përballet i gjithë rajoni dhe bota. Me kryetarin Haziri biseduam edhe për lehtësimin e masave që Qeveria ka marrë, veçmas për lejimin e linjave ajrore dhe tokësore,në mënyrë që t’i mundësohet mërgatës sonë ardhja në vendlindje”, ka thënë Zemaj.
Ai ka thënë se gjatë kësaj vizite, Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, i dhuruan një autoambulancë, donacion i Bashkimit Evropian.
“Si ministër do të vazhdojë vizitat në secilën komunë, duke shprehur përkushtimin për avancimin e sistemit shëndetësor në nivel lokal dhe qendror dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët tanë. Kujdesi për shëndetin e qytetarëve është prioritet i yni”, ka thënë ministri Zemaj.
(Q.R / Epoka e re)