Ministri Zemaj nuk flet për masa të reja anti-Covid, thotë se janë shtuar inspektimet

21 dhjetor 2020 | 15:36

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas takimit me udhëheqësit e institucioneve në lidhje me gjendjen pandemike, nuk ka folur për masat e reja anti-Covid, por ka bërë me dije se janë shtuar inspektimet në teren.

“Ne kemi shtuar kapacitetet sa i përket rritjes së numrit të inspektorëve. Janë më shumë se 95 inspektorë tani. Të gjithë ata që kanë ardhur dhe vijnë, dihet se vijnë nga vendet me risk të lartë të infeksionit. Kosova nuk e ka vendimin për mbyllje dhe duam ta mbajmë situatën në kontroll”.

“Ne ju bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve që të mos kontribuojnë në mbingarkesën spitalore që edhe sot është e madhe” ka thënë Zemaj në një konferencë për medie

Më tutje, Zemaj ka folur edhe për fluksin e mërgimtarëve që janë duke ardhur në vend, teksa ka apeluar për respektimin e masave anti-Covid.

“Duke parë që këto ditë kemi fluks të ardhjes së bashkatdhetarëve ne duhet të jemi të kujdesshëm, masat duhet të mbikëqyren në mënyrë rigoroze edhe në pikat kufitare. Ne nuk guxojmë që të na dështojë asnjë hallkë e mbikëqyrjes që të dështojmë të gjithë”, është shprehur Zemaj.

Gjatë kësaj konference, Zemaj është deklaruar edhe rreth testit PCR për mërgimtarët.

“Dje jemi detyruar që të sqarojmë se qytetarët që vijnë nga vendet e tjera në Kosovë dhe që kanë pasaportë të Kosovës nuk kanë nevojë të kenë PCR test, ndërsa ata që janë shtetas të huaj detyrohen të kenë test. Në rast se nuk kanë udhëzohen që të hyjnë në izolim dhe për këtë do të kemi mbikëqyrje në zbatimin e kësaj mase”, ka thënë Zemaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Daut Dauti Regjisori polak Krzysztof Kieślowski (1941-1996) është një prej…