Ministri Zemaj përcjelli dy të lënduarit që u dërguan për shërim në Austri
Sot, dy qytetarët e lënduar në Ferizaj si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit, u nisën për trajtim mjekësor, për Graz të Austrisë, falë përkrahjes dhe mbështetjes së këtij shteti mik.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka përcjell nga afër në aeroport dërgimin e dy të lënduarve për në Austri.
Ai ka falënderuar ambasadorin austriak në Kosovë dhe ambasadorin e Kosovës në Austri, të cilët, sipas Zemajt, me përkushtim të madh, kanë kontribuar që të gjendet mundësia dhe përkrahja që sa më parë të nisen dy qytetarët e lënduar për trajtim.
“Situata në të cilën ndodhet tërë bota, shkaku i pandemisë, është tepër e rëndë. Shtretërit e lirë dhe emergjencat tjera, janë të stërngarkuara nga pacientët, në tërë botën. Ishte shumë e vështirë të gjenden shtete që do të mund të hapnin dyert dhe të merrnin për trajtim dy pacientët tanë. I falënderoj të gjitha familjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Përkushtimi ynë për çdo pacientë do të vazhdojë!”, ka thënë Zemaj.