Ministri Zemaj reagon pas rënies së numrit të rasteve të reja me Covid
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur pesë persona si pasojë e infeksionit me Covid-19.
Po ashtu, ky institut ka bërë me dije se gjatë kësaj periudhe janë shëruar 117 persona dhe janë paraqitur 50 raste të reja me Covid.
Në lidhje me rënien e rasteve të reja me Covid, ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai ka thënë se falë përkushtimit të të gjitha institucioneve, Kosova qëndron më mirë sa i përket menaxhimit të pandemisë.
“Me përkushtimin dhe angazhimin maksimal, ka rënie të trendit të të infektuarve, ku sot nga 561 të testuar, raste pozitive janë 50. Jemi më mirë se shumë vende të tjera në rajon, madje edhe më mirë se vendet me sistem më të avancuar shëndetësor, e kjo na bën edhe më të përkushtuar e të vendosur që ta ngrisim performancën e shëndetësisë tonë”, ka thënë Zemaj, duke bërë bilancin e 100-ditëshit si ministër i Shëndetësisë.
“Sot, kur po i bëj 100 ditë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, dua t’ju falënderoj përzemërsisht për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë këtyre ditëve, me të gjitha institucionet për respektimin e masave sa i përket mbrojtjes nga Covid-19. Kam vizituar shumë qytete dhe fshatra, kam takuar shumë qytetarë, kemi folur e kemi ballafaquar argumente pro dhe kundër pranisë dhe luftimin e virusit Covid-19 në mesin tonë. Nga të gjitha takimet me juve, në tërë vendin, rrjedh një përfundim i padiskutueshëm se të bashkuar ia dalim”, është shprehur Zemaj.
Më tutje, Zemaj ka ftuar edhe qytetarët të jenë të bashkuar në mposhtjen e virusit “Korona”.
“Do të jem unë me tërë ekipin tim në shërbimin tuaj në pajtim me mandatin ligjor, duke ju siguruar dhe do të bëjë gjithçka që ta ulim numrin e të prekurve me Covid-19, të infektuarve t’ju qëndrojmë afër si dhe të gjithë së bashku të kujdesemi për shëndetin e të gjithëve. Të nderuar qytetarë, përzemërsisht ju ftoj që edhe më tej të jeni bashkëpunuesit tonë, sepse vetëm të bashkuar, mund të arrijmë aty ku dëshirojmë, ta largojmë pandeminë!”, ka thënë Zemaj, duke ftuar qytetarët që ta mbajnë distancën, bartin maskën dhe mbajnë pastërtinë.