Ministria dhe AVUK-u nuk e qartësojnë cilësinë e miellit “Fellini”
Mielli i bardhë “Fellini” është njëri ndër më të konsumuarit nga familjet në Kosovë.
Por, ky miell që shitet në shumicën e marketeve kosovare, sipas Shoqatës së Mullistëve të Kosovës (ShMK) shkakton konfuzitet te konsumatorët.
Kjo shoqatë ka bërë një ankesë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) , nga e cila ka kërkuar të hetojë nga vije mielli “Fellini”.
Kjo kërkesë vije pasi sipas mullistëve, në tiketat që i bashkëngjitën paketimit, herë figuron që mielli është prodhuar në Gjermani, herë në Bosnja e Hercegovinë e herë në Serbi,
Prandaj, ata kanë kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që përmes Inspektoratit të ndaloj shitjen e këtij produkti, derisa të plotësohen kushtet ligjore që dëshmojnë kualitetin dhe të dhënat që janë në interes të konsumatorit.
Në kërkesën që mullistët i kanë bërë MTI-së është thënë:
Shoqata e përpunuesve të grurit e njohur si Shoqata e Mullisëve të Kosovës (ShMK) me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit ju drejtohet ministrisë suaj me shqetësimin në vijim:
Në tregun e Kosovës është duke u shitur tash e sa kohë një produkt i njohur me brendin “Fellini” në paketim prej 5 dhe 1 kg në deklaratën e secilës informatat në lidhje me produktin janë të cekura qëllimisht në formë konfuze dhe të pasaktë.
Ajo që është edhe më e rëndësishme, askund në ambalazhe nuk është cekur se kush është prodhuesi, emri i subjektit prodhues, adresa, etj.
Kjo informatë është e obligueshme ligjërisht të jetë e vendosur dhe mungesa e saj lë hapësirë për të dyshuar në këtë produkt jo vetëm në aspektin e kualitetit por edhe në aspektin e ndonjë arsye tjetër të shmangies nga detyrimet e importit!
Megjithëse kemi tentuar të marrim edhe një qëndrim të MTI-së për miellin e importuar, mirëpo të njëjtit nuk i janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë.
Kurse, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Farizi ditë më parë kishte thënë për “Indeksonline” se mielli i Serbisë ka filluar të tregtohet në emër të miellit të Bosnjës, duke hyrë kështu në Kosovë pa tatim.(klankosova).