Ministria e Arsimit: Do të mbahet testi i arritshmërisë për klasat e 9-ta

15 qershor 2020 | 17:26

Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASh), Ramë Likaj, ka mbajtur të hënën një takim me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe drejtorët e departamenteve të MASh-it.

Ministri Likaj i ka njoftuar të pranishmit me dy vendimet që janë marrë për pezullimin e mësimit përgatitor për test të arritshmërisë në shkolla dhe organizimin e mësimit online (mësim në distancë) për maturantët, si përgatitje për testin e maturës.

Likaj ka theksuar se këto vendime janë marrë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK) dhe me Kolegjiumin e Drejtorëve Komunalë të Arsimit, duke theksuar se takimi i sotëm është ftuar me qëllim që të propozohen zgjidhje rreth mbajtjes së këtyre dy testeve, për shkak të rrezikshmërisë së përhapjes së infeksionit.

Më tutje, Likaj ka përmendur faktin se MSh-ja ka bërë publik “Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19”, duke shtuar se të gjitha vendimet që mund të merren duhet t’i përshtaten kërkesave të reja që dalin nga ky manual dhe koha deri data e mbajtjes së testit të arritshmërisë është shumë e shkurtër, raporton “Epoka e re”.

Megjithatë, drejtorët e DKA-ve kanë kërkuar që të mbahet testi i arritshmërisë dhe me kërkesë tyre u vendos që ky test të mbahet, pasi drejtorët janë deklaruar se komunat i kanë mundësitë që të zbatojnë masat mbrojtëse të kërkuara nga institucionet kompetente.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për përgatitjet që janë bërë për testin e maturës dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, megjithatë u konstatua se vendimet do të merren konform rrethanave pandemike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pekini rivendosi masa strikte kufizuese dhe po zhvillon testim masiv…