Ministria e Arsimit kërkon asistentë për klasat e integruara
Këshilli Ekonomiko-Social, i kryesuar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka mbajtur të enjten takimin e radhës ku është diskutuar edhe për kërkesën e Ministrisë së Arsimit për hapjen e një kodi të veçantë për punësimin e asistentëve në klasat e integruara.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka theksuar faktin se një ndër prioritetet e kësaj ministrie është gjithëpërfshirja. Në këtë kontakt ai ka thënë se Ministria e Arsimit është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për mundësi të barabarta të qasjes në arsim për të gjithë.
Më tutje, ai ka theksuar se klasat e integruara, pra ato klasa ku janë të përfshirë edhe fëmijët me nevoja të veçanta, kanë nevojë për asistentë.
Sipas tij, trajnimet për këta asistentë janë përfunduar me një projekt të Luksemburgut dhe kërkohet vetëm kodi, në mënyrë që të fillohet puna në këtë drejtim.
Këshilli Ekonomiko-Social, me këtë rast, e ka mandatar Komisionin profesional për aftësim dhe punësim që të punojë në vendosjen e kodit dhe brenda dy javësh t’i raportojë këtij këshilli.
/Epoka e re/