Ministria e Brendshme jep një lajm të mirë për regjistrimin e veturave
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët e Kosovës lidhur me vendimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, për ndryshimin e tarifave për vazhdim të regjistrimit të automjeteve.
Vendimi i ri për caktimin e tarifave me nr. 394/2017, i marrë me datë 15 dhjetor, ndër të tjera, në piken nr. 29 të tij, shfuqizon vendimin nr.328/2017 të datës 16.11.2016 që obligonte qytetarët të paguajnë gjoba për veturat e paregjistruara.
“Duke pasur për synim ngritjen e sigurisë në komunikacion dhe krijimin e kushteve, qytetarët e Kosovës mund të bëjnë vazhdimin e regjistrimit të të gjitha llojeve të automjeteve, pa paguar gjoba (të parapara në vendimin e shfuqizuar në pikat 6, 7 dhe 8)”, thotë MPB në njoftimin për media.
Pra, me këtë vendim, gjatë një afati të caktuar, sipas MPB-së, qytetarët do të kenë mundësi që të mund të vazhdojnë regjistrimin e automjeteve për të cilat deri para këtij vendimi është dashur të paguajnë shuma të mëdha të taksave, pas skadimit te afatit 30 ditor për vazhdim të regjistrimit dhe mos kryerjes së çregjistrimit.