Ministria e Bujqësisë investon në sistemin e ujitjes në Malishevë
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), do të investojë në rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të ujitjes në Komunën e Malishevës, me qëllim të rritjes së rendimenteve në prodhimtarinë bujqësore dhe në zvogëlimin e dëmeve të mundshme që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe thatësira.
Për realizimin e këtij projekti, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Komunën e Malishevës, për të mundësuar kështu ndërtimin e kanalit të ujitjes në fshatin Banjë të kësaj komune.
Me këtë rast, ministrja e MBPZhR-së, Dijana Zivic, ka treguar se deri më tash kjo ministri ka arritur të ndërtojë kanale të ujitjes dhe të zgjerojë shumë sisteme ekzistuese nëpër të gjitha komunat e Kosovës e këto investime ajo tha se do të vazhdojnë t’i bëjnë në vazhdimësi edhe në vitet e ardhshme.
“Përfshirja e sipërfaqeve të reja nën ujitje përbën prioritet për ministrinë dhe investimet për rregullimin e sistemeve të ujitjes do të vazhdojnë të bëhen edhe në të ardhmen”, ka thënë Zivic.
Në anën tjetër, Ragip Begaj, kryetar i Komunës së Malishevës, ka vlerësuar këtë projekt, duke thënë se investimet e tilla janë të domosdoshme për zhvillimin e bujqësisë në këtë komunë.
/Epoka e re/