Ministria e Bujqësisë merr vendime për përshpejtimin e pagesave të granteve
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), pas lehtësimit të masave mbi menaxhimin e COVID-19, përmes dy vendimeve të reja të cilat hyjnë në fuqi më 22 qershor, inkurajon fermerët dhe agro-përpunuesit që të vazhdojnë punën e tyre të pandalshme në zbatimin e projekteve të granteve.
“Në këtë drejtim, janë shfuqizuar dy vendime pezulluese, me qëllim që përfituesit e granteve të përfitojnë pagesat e tyre sa më parë. Vendimi i datës 16 mars 2020 për pezullimin e përkohshëm të afateve për zbatimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019. Me shfuqizimin e vendimit në fjalë, obligohen të gjithë fermerët përfitues të projekteve të Programit të Zhvillimit Rural 2019, t’u përmbahen afateve procedurale të përcaktuara sipas udhëzimit administrativ për masat dhe kriteret e përkrahjes për zhvillim rural për 2019, të datës 21.05.2019”, thuhet në njoftimin e MBPZhR.
Sipas këtij njoftimi, vendimi i dytë ndërlidhet me shtyrjen e afateve procedurale për marrjen e lejeve dhe licencave, lidhur me fushën e hortikulturës, produkteve për mbrojtjen e bimëve, plehrave, mbrojtjes së bimëve, farërave, blegtorisë, pylltarisë, verëtarisë dhe shërbimeve këshilluese për bujqësi. (A. M / Epoka e re)