Ministria e Bujqësisë përkrahë dhe promovon bujqësinë organike
Prodhimtaria bujqësore organike, viteve të fundit ka filluar të përkrahet edhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Përmes programeve mbështetëse, MBPZhR-ja i përkrahë kultivuesit e prodhimeve organike, ku ndër vite ka pasur edhe rritje të sipërfaqeve të kultivuara me këto produkte.
Për rëndësinë e bujqësisë organike dhe zbatimit të Ligjit për Bujqësinë Organike, Njësia për te Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtje nga Diskriminimi në koordinim me Departamentin e Prodhimtarisë Bujqësore dhe Tregtisë në MBPZHR, kanë organizuar një punëtori, në të cilën kanë marrë pjesë fermerë nga rajone të ndryshme të Kosovës.
Me këtë rast, fermerëve iu është prezantuar mbështetja e ministrisë ndër vite për këtë sektor, rëndësia e kultivimit të këtyre prodhimeve, si dhe metodat më të mira të kultivimit.
Koordinatorja e NjDNj-së në MBPZHR, Emine Kelmendi, ka theksuar se objektivi strategjik i ministrisë është garantimi i rritjes së sasisë dhe cilësisë së prodhimit organik me qëllim të garantimit të rritjes së cilësisë së jetesës për konsumatorët. Ndër tjerash, ajo ka folur edhe për rëndësinë që ka zbatimit i Ligjit për Bujqësinë Organike për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të këtij sektori.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, përmes pagesave direkte prej 500 euro për hektarë mbështet sipërfaqet e kultivuara me produkte organike.