Ministria e Diasporës hap panairin tradicional të diasporës
Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, është hapur sot panairi tradicional i diasporës.
Me panairin tradicional të artizanaleve, hapet edhe zyrtarisht manifestimi zyrtar “Ditët e Diasporës”.
Zëvendësministri i Diasporës, Isni Kilaj, e ka hapur panairin duke përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit në emër të zëvendëskryeministrit, ministrit të Diasporës, Dardan Gashi.
Kilaj ka theksuar se MDIS-i ka qëllim parësor mbështetjen dhe promovimin e diasporës, prandaj edhe ky panair është plotësisht në kuadër të kësaj mbështetjeje.
“Ky panair i artizanaleve ka po këtë mesazh, po këtë qëllim, sepse ne jemi të interesuar të jemi afër diasporës. Ju ftojmë të gjithëve të merrni pjesë në këtë panair, sidomos mërgimtarët që të kontribuojnë edhe në këtë aspekt”, ka thënë Kilaj.
Panairi me punime artizanale, veshje kombëtare dhe ushqime tradicionale mbetet i hapur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deri më 27 korrik 2019.
/Epoka e re/