Ministria e Diasporës konsulton bashkatdhetarët për Ligjin e Diasporës
Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike po zhvillon konsultimet me bashkatdhetarë, lidhur me Projektligjin për Diasporën.
Një numër i madh i bashkatdhetarëve kanë marrë pjesë në këto konsultime në vendet si: Francë, Suedi, Zvicër, Kroaci, Turqi.
Të pranishëm përveç përfaqësuesve të ministrisë, kanë qenë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Këto organizime janë bërë me qëllim të ndërtimit të raporteve më të mira, mes institucioneve dhe diasporës sonë.
Gjatë konsultimeve publike janë shtruar një numër i madh i çështjeve, si: kartoni i gjelbër, mësimi i gjuhës shqipe, siguria e investimeve, funksionimi i qendrave kulturore, të gjitha këto të parapara në Ligjin e ri të Diasporës.
Pas përfundimit të procesit të konsultimeve, këto komente do të diskutohen për të gjetur vend në ligjin e ri, i cili do të procedohet në Qeveri në fillim të muajit dhjetor dhe, më pas, edhe në Kuvendin e Kosovës për aprovim final.
Në vazhdën e konsultimeve, MDIS-i, në bashkëpunim të ngushtë me misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, do t’i organizojë takimet me bashkatdhetarët në Gjermani, Austri, Belgjikë, Itali, Mbretëri të Bashkuar dhe ShBA.
Ky projektligj pritet të aprovohet në fund të këtij viti, thuhet në njoftimin e ministrisë së Diasporës.