Ministria e Drejtësisë dënon gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin ndaj fertilizimit të asistuar
Grupi ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe me bazë gjinore ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit lidhur me shëndetin riprodhues dhe fertilizimit të asistuar mjekësor.
Ky reagim është publikuar nga Ministria e Drejtësisë (MD).
“Pas deklarimeve me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit të shprehura në parlament dhe në medie, kundër projektligjit mbi shëndetin riprodhues dhe fertilizimit të asistuar mjekësor, si dhe kundër autonomisë trupore së grave, Grupi ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore shpreh reagim të njëzëshëm ndaj retorikës së tillë”
“Ne theksojmë nevojën për të përqendruar diskutimet në lidhje me shëndetin riprodhues në bazë të fakteve dhe në prizmin e të drejtave të njeriut, duke shmangur gjuhën e urrejtjes që ulë parimet themelore të barazisë gjinore dhe autonomisë së grave”, është thënë në reagimin e MD-së.
Ministria e Drejtësisë ka theksuar se përgjigjja ndaj kësaj situate thekson angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të individëve, veçanërisht të grave, për të marrë vendime të informuara.
“Këto të drejta, janë të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlerat mbi të cilat qëndron Kushtetuta e vendit i ka vendosur në Nenin 7”, është thënë në këtë reagim.