Ministria e Drejtësisë jep informacione për vizitën në Gjykatën Speciale
Ministria e Drejtësisë (MD) ka njoftuar se një delegacion i kësaj ministrie ka takuar të ish-drejtuesit e UÇK-së, të cilët janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë.
Nëpërmjet një njoftimi për media nga MD-ja është bërë me dije se janë njoftuar edhe me shqetësimet e tyre.
“Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre”, ka njoftuar MD-ja
Njoftimi i plotë i MD-së:
Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë ka vazhduar vizitën zyrtare në Hagë
Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë në krye me zëvendësministrin e Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, këshilltarin e lartë dhe shefin e kabinetit, z. Genc Nimoni si dhe udhëheqësen e Divizionit për Mbrojtje Juridike dhe Mbështetje Financiare në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, znj. Pranvera Ejupi – Hajzeraj, kanë vazhduar takimet në kuadër të vizitës zyrtare në Hagë.
Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, delegacioni është takuar me personat të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe me zyrtarë të tjerë të Qendrës së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Në takim është diskutuar për funksionimin e gjithëmbarshëm të rendit shtëpiak, kushtet e trajtimit të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe Ndihmën Juridike Falas ndaj tyre.
Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre.
Shqetësimet e tyre janë diskutuar edhe në takim me kryetaren e Dhomave të Specializuara, znj. Ekatarina Trendafilova, regjistren e Dhomave të Specializuara, znj. Fidelma Donlon dhe zyrtarë të tjerë të dhomave të specializuara në Hagë, të cilët janë zotuar për lehtësim të procedurave për kompletimin e dokumentacionit të familjarëve dhe pajisjen e tyre me vizë për një kohë më të gjatë, si dhe trajtim të dinjitetshëm dhe sipas standardeve ndërkombëtare të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Ministria e Drejtësisë do t’i kryejë obligimet e saj në raport me shtetasit tanë të cilët po mbahen në paraburgim.