Ministria e Drejtësisë reagon ndaj akuzave të VV-së për dështime në drejtësi
Ministria e Drejtësisë (MD),më anë të një komunikate për medie, shpreh mos pajtim me konstatimet e Lëvizjes Vetëvendosje! sot ( e diele), gjatë një konferencë shtypi.
Sipas kësaj ministrie, është tërësisht e papranueshme tendenca që ky subjekt politik vazhdimisht përpiqet të denigrojë përpjekjet institucionale për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë në vend.
Anëtarja e VV-së, Albulena Haxhiu, sot gjatë një konference për media ka numëruar disa nga rastet kur sistemi i drejtësisë në Kosovë sipas saj, ka dështuar.
Sipas saj, qeveritë e mëparshme përkundër asaj se kanë thënë se janë zero tolerant ndaj korrupsionit, kjo nuk ka ndodhur. “Ministria e Drejtësisë konsideron se është e pa drejtë që deficitet politike të këtij subjekti si dhe papërgjegjshmëria për të kontribuar në çështjet politike siç është miratimi Demarkacionit me Malin e Zi, t’i faturohen sistemit të drejtësisë së Kosovës”, është thënë në reagim, duke u shtuar se në nivelin e politikë bërjes, Ministria e Drejtësisë, me kohë ka adresuar të gjitha masat për fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimit të integritetit të gjyqësorit në përgjithësi. “Në adresimin e përmbushjes së kriterit të dytë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Ministria e Drejtësisë me kohë ka adresuar politikat legjislative duke përmbushur obligimet e Agjendës së Reformave Evropiane përmes hartimit të ndryshimeve në Ligjin për Prokurorin e Shtetit, Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik, si dhe konsolidimin e politikës për suspendimin e zyrtarëve publik në rast të ngritjes së aktakuzave për korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, politikë kjo e integruar në kuadër të ndryshimeve në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, projekte legjislative që shumë shpejt do të jenë po ashtu në agjendë të Kuvendit për miratim”, thuhet më tej në reagim.
Ministria e Drejtësisë informon qytetarët se referencat për fuqizimin e politikës legjislative në raport me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, nuk janë shpikje e Vetëvendosjes dhe se për adresimin e tyre tashmë ka hapa konkretë. “MD bën me dije se në agjendën legjislative të vitit 2018, do të hartohen 19 projektligje, të cilat shumë shpejt do të jenë në dispozicion të Kuvendit të Kosovës, adresë në të cilën, Lëvizja Vetëvendosje ka mundësi të shprehë gatishmërinë për të kontribuar në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë”, është thënë në fund të reagimit.