Ministria e Drejtësisë suspendon përmbaruesin privat në rastin e Telekomit, Ilir Mulhaxha
Ministria e Drejtësisë (MD) ka suspenduar përmbaruesin privat Ilir Mulhaxha, deri në një vendim të Komisionit Disiplinor, pas propozimit të “Telekom” Sh.A në cilësi të debitorit, për propozim të masës disiplinore ndaj Mulhaxhës, lidhur me rastin mes kësaj kompanie dhe “Dardafon.net” LL.C, në cilësi të kreditorit.
Ky vendim i cili është marrë të martën (6 dhjetor 2022), ndonëse mban emrin e ministres Albulena Haxhiu, është nënshkruar nga zëvendësministri i saj, Blerim Sallahu.
Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se më 29 nëntor 2022, Departamenti për Profesione të Lira në MD, ka pranuar nga Telekomi i Kosovës SH.A. në cilësinë e palës debitore, propozimin për inicimin e procedurës disiplinore ndaj përmbaruesit privat Mulhaxha, i emëruar për territorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me lëndën përmbarimore.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Sallahu, duke thënë se ka kaluar koha kur financat e Telekomit shërbenin si plaçkë për t’i pasuruar orkestruesit e tenderëve që lidheshin qëllimisht në disfavor të kompanisë.
“Në bazë të kompetencave ligjore, sapo nënshkrova vendimin për suspendimin e përmbaruesit privat që deri pasnesër do ta përmbaronte një borxh mbi 6 milionë euro (të llogaritur gabimisht) të Telekomit”, ka shkruar tutje Sallahu.
Kurse, në arsyetimin e këtij vendimi, ndër të tjera thuhet se më 30 nëntor, propozimi për inicimin e procedurës disiplinore ndaj përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha është proceduar në Komisionin Disiplinor në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi.
Kjo sipas vendimit, është bërë me qëllim që procedura disiplinore ndaj përmbaruesit privat të zhvillohet pa u penguar.