Ministria e Ekonomisë: Vjedhja e rrymës na kushton miliona euro në vit
Ministria e Ekonomisë, përmes një komunikate për media, ka thënë se vjedhja e rrymës na kushton miliona euro në vit.
Kjo ministri bën të ditur se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të furnizimit.
“Përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it, pra vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të bliheshin të gjitha me çmimet e importit, ose thënë ndryshe, dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike”.
“Ndërsa për vitin 2022 vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare, apo 26 ditë pune të dy blloqeve të Termocentralit “Kosova B”.Në situatën e krijuar me furnizim me energji elektrike, Ministria e Ekonomisë është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të furnizimit”, thuhet në komunikatën e tyre.
Ministria ka thënë se janë duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike.
“Së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë sipas kontratës së privatizimit që t’i ndalë ato. Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen. Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, jo për nevojat bazike”, thuhet në komunikatë.
Tutje, aty thuhet se kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit.
“Ditëve në vijim institucionet tona do të qëndrojnë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë. Ndërkohë po koordinohen masat shtesë për këtë dukuri. Ndaj qytetarë të nderuar, ju inkurajojmë që përveç kursimit të energjisë elektrike të raportojmë secili rastet e vjedhjeve të energjisë kudo ku i vini re apo keni dijeni për to. Raportimi i tyre masiv do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike në këtë kohë të vështirë të krizës energjetike, e gjithashtu edhe në parandalimin e fatkeqësive”, thuhet tutje në komunikatë.