Ministria e Gërvallës gjobitet me 13 mijë euro për mostransparencë
Institucionet publike janë të obliguara që t’i lejojnë palët e interesuara në Kosovë, të kenë qasje në dokumentet zyrtare. Për t’u afirmuar kjo e drejtë kushtetuese, Agjencia për Informim dhe Privatësi, nga data 26 shtator deri më 30 shtator do e shënojë Javën e Informimit, me moton “Tash edhe më lehtë”.
Komisionerja e kësaj Agjencie, Krenare Sogojeva-Dermaku, në “Sytë 7” në “Klan Kosova”, ka thënë se këtë të hënë do kenë konferencë me kryetarët e komunave, të martën me gjyqtarët dhe prokurorët, të mërkurën me gazetarë dhe shoqëri civile, ndërsa të enjten me sekretarë të ministrive dhe të premten me kryetarët e bordeve dhe kryeshefat e ndërmarrjeve publike.
Sogojeva-Dermaku, ka treguar se si agjenci janë të angazhuar që të rrisin transparencën e Institucioneve në Kosovë. E njëjta, madje ka bërë me dije se parashtrojnë edhe gjoba, kur institucionet nuk janë transparentë sa i përket kërkesave të qytetarëve, gazetarëve apo palëve të tjera.
Udhëheqësja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ka thënë se kanë vendosur gjobë prej 13 mijë euro ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), pasi e njëjta s’ka qenë transparente sa i përket njoftimit për shpenzimin e parasë publike. Kjo ministri drejtohet nga Donika Gërvalla.