Ministria e Infrastrukturës investon në dy projekte infrastrukturore në Mitrovicën e Veriut
10 korrik 2018
| 12:59
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, kanë nënshkruar të martën marrëveshje bashkëpunimi për dy projekte infrastrukturore të kësaj komune, e të cilat kapin vlerën totale prej 90 mijë eurosh.
Marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mitrovicës së Veriut, u nënshkrua për asfaltimin e rrugës “Sami Frashëri” dhe ka vlerën 40 mijë euro, si dhe për asfaltimin e rrugës “Tirana” e që ka vlerën prej 50 mijë eurosh.
Ministri Lekaj dhe kryetari Rakiq, biseduan edhe për çështje të tjera, kurse nga ministri Lekaj u ritheksua mbështetja dhe përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për të përkrahur të gjitha komunat e vendit pa dallime etnike.
/Epoka e re/