Ministria e Infrastrukturës shpall fituesit e tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shpallur fituesit e tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Janë tri konzorciume private që kanë përfituar nga një llot të tenderit.
Sipas njoftimit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), vlera totale e këtyre lloteve është mbi 24 milionë euro. Për pjesën e parë, fitues është shpallur grupi i operatorëve ekonomikë Pro & Co Group SH.P.K. dhe Levantina Ingenieria Y Construcion. Vlera e këtij lloti në kontratë është rreth 6.5 milionë euro.
Ndërsa, pjesa e dytë është fituar nga konzerciumi i operatorëve ekonomikë 2A Group SH.P.K. dhe Vega SH.P.K., me vlerë prej rreth 8.5 milionë euro.
Derisa pjesa e katërt, apo lloti 3 është fituar nga grupi i operatorëve Agbes Construksion SH.P.K, Arbotec SH.P.K., GEO Construction SH.P.K., Mineral L.L.C. dhe BM Group SH.P.K. me seli nga Fieri i Shqipërisë.
Ministri Infrastrukturës, Liburn Aliu, më herët kishte thënë se kanë zgjidhur problemet me shpronësimet për rrugën Prishtinë-Besi-Podujevë.
Aliu kishte sqaruar se i tërë segmenti do të jetë pesë llote, 16 kilometra nga Lluzhani deri në Bërnicë do të jetë e ndarë në katër llote dhe se lloti i pestë është përfundimi i rrugës nga Lluzhani deri në Podujevë, që përbën segmentin prej 9 kilometrash.