Ministria e Infrastrukturës: Të gjitha rrugët janë të hapura për qarkullim
Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se në mbarë vendin, kompanitë e kontraktuara po kujdesen që rrugët të jenë lehtësisht të kalueshme për automjetet, raporton “Epoka e re”.
Sipas MI-së, në disa zona, sidomos ato malore, është intervenuar me hedhje kripe, për të evituar krijimin e shtresave të akullta nga rënia e temperaturave dhe mjegulla.
“Sipas raporteve nga menaxherët mbikëqyrës të MI-së, nga kompanitë, në mëngjes dhe mbrëmje, është intervenuar në rrugët rajonale, Mitrovicë – Bajgore (R129), Deçan – Koznjer (R108), atë nacionale N9 në zonën e Dollcit, dhe akset rrugore Pejë – Kullë e Doganaj – Glloboqicë”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Kripë është hedhur edhe në zonat turistike malore si Bogë e Prevallë.
Kompanitë e kontraktuara, me tërë makinerinë, bashkë me inxhinierët e MI-së, janë në mbikëqyrje të vazhdueshme të të gjitha rrugëve nacionale, rajonale, magjistrale dhe autostradave, gjatë 24 orëve.
Ministria e Infrastrukturës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në vozitje me qëllim të evitimit të rreziqeve në komunikacion.