Ministria e Jashtme del me reagim për arrestimet e fundit të qytetarëve të Kosovës në Serbi
Pas njoftimit mbi arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional.
MPJD ka njoftuar se janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet reagimin e MPJD-së.
Sipas kësaj, Zyra Ndёrlidhёse e Republikёs sё Kosovёs nё Serbi, do tё paraqes kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar ambasadorin Jashari ta vizitojё Hasan Daka, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet Dakës nga organet serbe.
MPJD ka theksuar në reagim se do të mbajë të informuar opinionin rreth këtij rasti dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë.
“Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”, theksohet në reagimin e MPJD-së.