Ministria e Jashtme dhe FSK-ja urgjentisht duhet të marrin masa ndaj Prindon Sadriut
Kryetari i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, ka thënë se duhet të merren masa ndaj bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmanit, Prindon Sadriut, i cili po përdor gjuhë linçuese kundër gazetarëve dhe mediave.
Mushkolaj ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se Prindon Sadriu nuk është vetëm bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, por është edhe diplomat i rangut të lartë, zyrtar shtetëror.
“Është edhe epror rezervë në FSK. Tash disa ditë ai përdor gjuhë linçuese kundër gazetarëve dhe mediave. Ministria e Jashtme dhe FSK urgjentisht duhet të marrin masa ndaj tij dhe të veprojnë sipas rregullativave ligjore në fuqi. Ai nuk mundet që, në përpjekje për t’i mbuluar bëmat e bashkëshortes, të akuzojë gazetarë e media me fjalor të ulët që mbase mund ta përdor ndonjë militant i frustruar, por kurrsesi një diplomat”, ka shkruar Mushkolaj.