Ministria e Jashtme do të organizojë aktivitete për diasporën gjatë pushimeve në Kosovë

05 korrik 2023 | 16:14

Në mbledhjen e 149 të qeverisë, kryeministri Albin Kurti, ka folur për diasporën.

Ai u ka uruar mirëseardhje mërgimtarëve në vendlindje, duke theksuar se rikthimi i tyre në atdhe, në shtëpitë e tyre në Kosovë shënon një moment i veçantë për të gjithë ne, pasi shprehë lidhjen e përjetshme e cila tejkalon kufijtë dhe kohën.

“Edhe këtë vit lë të përjetojmë së bashku bukuritë e natyrës dhe trashëgimisë sonë kulturore. Le t’i lidhim gjeneratat e reja me tokën e tyre e le të mësojmë prej më të moshuarve. Në gjuhën tonë qëndrojnë mrekullisht dy fjalë për vendlindjen: mëmëdheu e atdheu, toka e nënës dhe e babait. Prandaj edhe lidhja juaj me Kosovën është shumë e thellë. Në këtë drejtim më lejoni që të ju falënderoj për përkushtimin tuaj për të ruajtur traditat tona, rolin tuaj të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Kosovës. Ecja jonë e shpejtë drejt zhvillimit dhe përforcimit të vendit është më e lehtë kur në mendjen tonë e dimë që e kemi mbështetjen tuaj. Prandaj, kontributi juaj ndihet te të gjithë sektorët e vendit dhe ne jemi pafundësisht falënderues për angazhimin dhe rolin tuaj të vazhdueshëm për zhvillimin e vendit”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se për t’u siguruar që koha e mërgimtarëve në vendlindje do të jetë vërtetë e këndshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka hartuar një listë të gjatë të aktiviteteve të dedikuara veçanërisht për ta, duke përfshirë fushën sportit, kulturën dhe ndërlidhjen e gjeneratave të reja me vendin e tyre përmes kampesh verore, eksperiencave kulturore, artistike dhe natyrore.

“Në javën në vijim Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes platformës Shijo Kosovën, do t’ju përcjellë të gjitha udhëzimet dhe informatat që ndërlidhen me këto aktivitete. Mirë se vini në shtëpi të dashur bashkatdhetarë, mirë se vini në vendin tuaj. Le të jetë kjo verë një kohë e bashkimit tonë. Me kënaqësi, ju mirëpresim sërish në Kosovë e mezi pres t’ju takojmë, sa më shumë prej jush”, është shprehur kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak është takuar…