Ministria e Kulturës ngushëllon për vdekjen e aktorit Lokaj
Ministria e Kulturës ka dërguar telegram ngushëllimi për vdekjen e artistit Sylejman Lokaj.
Në telegram thuhet se krijimtaria e aktorit do të lë gjurmë të pashlyera dhe se ai do të përkujtohet si njeri me energji frymëzuese.
“Me pikëllim dhe me keqardhje të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta të dashurit tuaj Sylejmanit, artistit dhe aktorit tonë të madh. Sylejman Lokaj nuk do të jetë mes nesh fizikisht por me krijimtarinë e tij të pasur e të vlerësuar ka lënë gjurmë të pashlyera dhe padyshim se do të kujtohet në mesin tonë ashtu siç edhe ka qenë, pozitiv, me energji frymëzuese dhe me veçantinë e cila e karakterizonte”, thuhet në telegram.
“Ndarja nga kjo jetë dhe mosprania e tij në mesin tonë është një humbje e madhe për artin e kulturën shqiptar. Lokaj me talentin e tij i ka tejkaluar kufijtë lokal e rajonal duke u bërë i njohur në shumë role dhe duke realizuar shumë ekspozita përmes të cilave shprehte artin e kreativitetin e tij”, thuhet më tej.
“Si bashkëshort, si prind, si vëlla, si i afërm, si kolegë, ndarja nga ne e Sylejmanit, do të lërë një zbrazëtirë të pakompenzueshme, por do të jetë frymëzim, krenari dhe forcë për ne për të vazhduar, duke e ndjekur shembullin e punës dhe angazhimit të tij. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Sylejman Lokaj”.