Ministria e Mbrojtjes anulon tenderin për ushqim
Ministria e Mbrojtjes e ka anuluar krejtësisht tenderin për furnizim me ushqim për ushtarët e FSK-së. Atë e kishte fituar një kompani po ishte ende i panënshkruar kurse sipas Ministrisë ata po tentojnë të krijojnë sistem të vetmenaxhimit duke punësuar staf prej mbi 100 personash. Deri atëherë, thonë se do të vazhdojë ndihma nga Shërbimi Korrektues dhe Qendra e Studentëve.
Ky është ushqimi që ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës e patën për drekë këtë të hënë. Por, me gjithë zhurmën e kritikat e javëve të fundit për furnizim të paqënrueshëm me ushqim, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se e ka anuluar krejtësisht tenderin që ishte i fituar nga një operator por i panënshkruar.
Këtë e konfirmoi edhe Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Ministri me udhëzim të tij, ka kërkuar që me datën 10 tetor, pra këtë të premte, të bëhet anulimi i këtij tenderi, jo për arsyeje personale, mirëpo përshkak të një konteksti që mes të grupit të operatorëve që janë shpallë fitues të tenderit”, tha Gashi.
Ajo gjithashtu mohoi lajmet që ministri, i ka dërguar letër kryeministrit duke i treguar se nuk nënshkruan tenderin në fjalë.
E njëjta shton se duke parë probleme të tilla, ky institucion vendosi që të menaxhoj vet tash e tutje ushqimin për ushtarët.
“Është hapur konkursi për pranimin e 106 personave si pjesë e stafit të kuzhinierëve profesionist brenda kazermave të FSK-së, dhe gjitha procedurat për pranimin e tyre mendojmë, dhe do të përfundojnë brenda 45 ditësh”, shtoi Gashi.
E deri në këtë kohë, të njëjtit do të funksionojnë me ndihmën e kuzhinierëve të huazuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Qendra e Studentëve për të cilët thanë nuk kanë pasur afate të caktuara kohore për ndihmë.
Për këtë, nga Shërbimi Korrektues nuk kthyen përgjigje gjatë ditës.
Kurse, Ekrem Rudari, drejtor i Qendrës së Studentëve kur u telefonua nga televizioni tha që është në një takim dhe do të flas më vonë, por nuk u lajmërua gjatë tërë ditës.
Televizioni ka mësuar se pos tyre ka edhe ish-punëtorë të kompanisë Beni Dona që kanë vazhduar të punojnë por pa pagesë dhe në mënyrë vullnetare e këtë informatë e konfirmoi edhe këshilltarja e ministrit Maqedonci.
E vet ministri shkoi sot në kazermën “Adem Jashari” për të ngrënë sot drekën bashkë me një pjesë të stafit, përfshirë zëvendësin e tij, Shemsi Syla, me të cilin u raportua se kanë mosmarrëveshje pikërisht për shkak të tenderit me ushqim.