Ministria e Mbrojtjes: Clark është heroi ynë
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur dje në takim ish-komandantin suprem të NATO-s, gjeneralin me katër yje, Wesley Clark.
Në komunikatën e ministrisë theksohet se Clark është heroi ynë “i cili udhëhoqi operacionin ushtarak të NATO-s kundër forcave kriminale serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999”.
“Ky takim është në vazhdën e komunikimeve të rregullta të ministrit Mehaj me gjeneralin Clark, me rëndësi shumë të madhe në rrugëtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së drejt realizimit të synimeve strategjike”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Gjithashtu të dy diskutuan edhe për zhvillimet në kontekstin e ri gjeopolitik dhe ndikimin në mjedisin e sigurisë në rajonin tonë.
“Ministri Mehaj në deklaratën e tij theksoi se gjenerali Clark, përveç personalitetit të tij madhështor në mendjet dhe zemrat tona, mbetet udhërrëfyesi ynë më i qartë në procesin e zhvillimit dhe realizimit të synimeve tona strategjike”, përfundon njoftimi.