Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe ajo e Turqisë arrijnë marrëveshje bashkëpunimi
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Rrustem Berisha, ka pritur të enjten në Prishtinë ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, i cili ka ardhur për vizitë në Kosovë.
Pas takimit, ministrat kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive të mbrojtjes, në të cilën përfshihen fushat me interes të përbashkët të bashkëpunimit.
Në takimin e përbashkët të të dy delegacioneve u prezantuan arritjet e përgjithshme të FSK-së, procesi i transformimit dhe perspektiva e zhvillimit sipas planeve të parapara.
Po ashtu u bë edhe prezantimi i bashkëpunimit të deritashëm në mes të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë, si dhe të dy ushtrive përkatëse, duke evidentuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë edhe në të ardhmen.
/Epoka e re/