Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë do ta mbështesë FSK-në me teknikë dhe personel
Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Damir Krstiqeviq, po qëndron për vizitë zyrtare në Zagreb.
Ministri Berisha, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, atasheu i FSK-së, kolonel Skender Hoxha dhe një delegacion i FSK-së, ka zhvilluar një takim të gjerë me homologët e Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë.
Ministri Berisha dhe ministri Krstiqeviq kanë biseduar lidhur me situatën aktuale të sigurisë në të dy vendet, në rajon dhe më gjerë, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe dy ministrive përkatëse.
Ministri Berisha ka njoftuar homologun Krstiqeviq edhe mbi zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë mbi procesin e tranzicionit të FSK-së, procedurat ligjore dhe demokratike që po zbatohen në drejtim të përmbylljes së procesit të tranzicionit të FSK-së, krijimin e bazës ligjore për mandatin e ri të FSK-së, si dhe për detyrat që dalin pas votimit të tri projektligjeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Më tutje, ministri Berisha ka nënvizuar nevojën për avancimin e bashkëpunimit me Kroacinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe ka shprehur mirënjohje të lartë për mbështetjen që ka dhënë shteti dhe populli kroat në rrugëtimin e Kosovës, duke veçuar sidomos fushën e edukimit dhe arsimimit dhe atë të sigurisë dhe mbrojtjes.
Në fund të fjalës së tij, ministri Berisha ka kërkuar mbështetje të fuqishme nga ministri Damir Krstiqeviq për anëtarësimin e Kosovës në iniciativa rajonale dhe globale të sigurisë, duke treguar gatishmërinë e Kosovës për të kooperuar në operacionet për mbështetjen e paqes së bashku me Kroacinë si shtet anëtar me të drejta të plota në NATO.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Damir Krstiqeviq, ka rikonfirmuar gatishmërinë e Kroacisë për mbështetjen e gjithanshme të Kosovës.
Ai është zotuar se do ta mbështes Kosovën në zhvillimin e kapaciteteve të saj të mbrojtjes me teknikë dhe personel, si dhe do ta përkrahë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në iniciativat rajonale, në iniciativën ShBA-Karta e Adriatikut-A5 dhe në Rakviak ( RACVIAC).