Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë del me deklaratë për incidentin në uzinën e Gramshit
Dy ushtarë shqiptarë, roje të fabrikës së prodhimit të armëve në qytezën e Gramshit, janë sulmuar të shtunën nga 3 shtetas rusë e ukrainas.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë e ka konfirmuar sulmin dhe ka njoftuar se sulmuesit janë arrestuar.
“Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh: tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj, janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, duke theksuar se Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
“Gjendja shëndetësore e dy ushtarakëve shqiptare është e stabilizuar”, ka njoftuar kjo ministri.