Ministria e Mjedisit financon ndërtimin e sheshit në Shtime
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, me të cilin kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për bashkëfinancimin e projektit “Rregullimi i parkut – sheshit të qytetit në Shtime”.
Me këtë rast, Matoshi ka thënë se këtë projekt mjaft të rëndësishëm por të vonuar për Shtimen MMPH-ja këtë vit e financon me 120 000 euro.
Ai ka vlerësuar së pjesë e prioriteteve të tij ka qenë përkrahja e komunave në shtimin e zonave të gjelberta dhe mirëmbajtjen e tyre.
“MMPH për të inkurajuar komunat në përmirësimin e gjendjes se mjedisit së bashku me GIZ-in ka lansuar grantin e performancës ku komunat që i japin prioritet mjedisit, punojnë në avancimin e gjendjes së mjedisit do të shpërblehen me grante në formë projektesh”, ka deklaruar Matoshi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka falënderuar ministrin Matoshi për financimin e këtij projekti duke shtuar se për këtë projekt do të ndajnë mjete financiare edhe nga komuna që ai drejton.
/Epoka e re/