Ministria e Mjedisit me gjashtë projekte për Mitrovicën
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj, dhe deputeti i AKR-së, Islam Pacolli, janë pritur të mërkurën nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Gjatë këtij takimi Bahtiri e Reshitaj kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për gjashtë projektet madhore që MMPH-ja do t’i realizojë në Mitrovicë.
Bahtiri ka falënderuar ministren Reshitaj për implementimin e këtyre projekteve madhore në interes për qytetin e Mitrovicës, duke vlerësuar lartë punën e mirë që janë duke e bërë të gjithë ministrat nga radhët e AKR-së.
Ndërsa ministrja Albena Reshitaj ka folur për listën e projekteve që MMPH-ja do t’i realizojë në vitin 2018. Këto projekte sipas saj janë kopshti botanik, ujësjellësi Shipol-Brus, kanalizimi dhe ujësjellës të tjerë, kanalizimi në Frashër, rregullimi i shtratit të lumit Ibër, rregullimi i shtratit të lumit Sitnicë dhe ndërtimi i shtëpisë së peshkatarëve në liqenin akumulues në Suhadoll.
Vlera totale e këtyre projekteve arrin vlerën prej 2.5 milionë euro.