Ministria e Mjedisit investon 60 mijë euro në Rahovec për parandalimin e vërshimeve
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, sot kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për bashkëfinancimin e projektit “Pastrimi i profileve kritike-emergjente të lumenjve për mirëmbajtje të kapacitetit bartës të ujë-rrjedhave” në Rahovec.
Ky projekt financohet nga MMPH-ja në vlerë prej 60 mijë euro për vitin buxhetor 2019.
Me këtë rast, ministri Matoshi ka thënë se MMPH-ja përveç këtij projekti në Rahovec financon edhe projekte tjera në fushën e mjedisit.
“Pastrimi i profileve kritike-emergjente të lumenjve për mirëmbajtje të kapacitetit bartës të ujë-rrjedhave”, është një projekt i rëndësishëm për Komunën e Rahovecit, qytetarët e saj dhe mjedisin në përgjithësi duke bërë kështu eliminimin e vërshimeve në dy fshatra Krushë-Celicë. Prioritet i ministrisë sonë mbetën komunat andaj mbështetja jonë nuk do të mungojë kur bëhet fjalë për mjedisin”, ka deklaruar Matoshi.
Matoshi ka kërkuar nga kryetari Latifi që komuna t’i përmbushur obligimet e veta dhe të krijoj kushtet e nevojshme për realizimin e këtij projekti.
Ndërsa kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka falënderuar ministrin Matoshi për këtë projekt, duke vlerësuar si të rëndësishëm në parandalimin e vërshimeve në këtë komunë.
/Epoka e re/