Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Shëndetësisë deklarohen për vdekjen e 26-vjeçarit nga Gjilani

05 maj 2020 | 20:31

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh) përmes një komunikate të përbashkët kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e të ndjerit Agon Musliu, i cili humbi jetën tragjikisht në karantinën në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Pas rastit tragjik, MSh-ja ka bërë me dije se ka kërkuar raporte me shkrim nga zyrtarë, profesionistë dhe ekipe përgjegjëse që janë nën menaxhimin e kësaj ministrie.

“Gjithashtu, pas informimit për rastin, MPJD ka filluar kontaktet ndërinstitucionale për t’u informuar për detajet e tij. Njëkohësisht, MPJD ka kërkuar raporte të detajuara zyrtare nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe nga Qendra Operative e MPJD-së, e cila është përgjegjëse për koordinimin e kthimit të qytetarëve në Republikën e Kosovës”, thuhet në këtë komunikatë të përbashkët të dy ministrive.

Sipas kësaj komunikate, pas shqyrtimit të raporteve kanë kuptuar që për rastin në fjalë Qendra Operative e MPJD-së dhe zyrtarët e saj, përveç shënimit në listë si “prob. shen. – posedonvertetim”, siç janë shënuar edhe rastet e tjera, nuk kanë pasur asnjë dokument shëndetësor.

“Duhet ta sqarojmë, që listat e tilla dërgohen rregullisht nga misionet diplomatike dhe ato nuk janë valide për ta përcaktuar qëndrimin apo mosqëndrimin e dikujt në karantinë, sepse ato përgatiten nga shefat e misioneve diplomatike, e jo nga organet shëndetësore. Gjithashtu, Qendra Operative Emergjente, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka qenë e njoftuar dhe nuk i janë dërguar dokumente shëndetësore të cilat do të alarmonin për gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, në asnjërën nga tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor, siç ka ndodhur me rastet e tjera të cilat janë liruar”, thuhet në këtë komunikatë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë bëjnë thirrje që organet e hetuesisë të punojnë për zbardhjen e rastit në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe njëkohësisht shprehin gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me organet përkatëse.

“Vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe transparent me organet e hetimit dhe vetëm duke e mbajtur rastin larg nga politika, do të mund të kuptohet e vërteta dhe të vihet drejtësia në vend”, theksohet në komunikatën e dy ministrive.

(M. Q /Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas raportimit në media se deputeti Etem Arifi, ishte dënuar…