Ministria e Punëve të Jashtme: Nuk i kemi dhënë leje ministrit serb për të hyrë në Kosovë
Kosova nuk e ka lejuar vizitën e ministrit të Sportit të Serbisë, Vanja Udoviçiq. Këtë e kanë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
“Ju konfirmojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka aprovuar kërkesën e ministrit të Qeverisë serbe për të hyrë në Republikën e Kosovës”, është thënë në përgjigjen e MPJD-së për “Zëri.info”.
MPJD-ja nuk ka dhënë arsye për refuzimin e kërkesës ndaj Udoviçiqit.
Në anën tjetër, refuzimi i vizitës së ministrit serb në Kosovë ka ngjallur reagime në Serbi.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur arrogancë të institucioneve të Kosovës vendimin për të mos e lejuar hyrjen e ministrit të Sportit të Serbisë, Vanja Udoviçiq.