Ministria e Shëndetësisë del me sqarim për çështjen e hyrjes në Kosovë

02 qershor 2020 | 17:49

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka dhënë versionin e saj lidhur me çështjet e hapura për kalimin e kufijve. MSH-ja ka bërë thirrje për kujdes, durim e solidaritet, ndërsa ka ftuar institucionet në Kosovë dhe Shqipëri si dhe zyrtarët politikë e shtetërorë që të ndihmojnë në kapërcimin e situatave të vështira.

Sipas kësaj ministrie, kjo duhet të bëhet para se të përhapen me qëllim apo nga mos informimi i lajmeve të pavërteta ose të shtrembëruara lidhur me vendimin për hapjen e kufijve tokësorë të Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se është treguar kujdes i shtuar në këtë fazë për lehtësimin e masave, ndër të tjera duke vënë në kontroll mjekësor çdo person që hyn në territorin e Kosovës. Kjo është bërë për faktin se situata epidemiologjike nuk është stabile dhe ka rritje të rasteve me COVID-19 në disa komuna.

Hyrja në Kosovë prej 1 qershorit është e mundur përmes gjashtë pikëkalimeve kufitare. “Kriteret për lejimin edhe të shtetasve të Kosovës edhe atyre të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë, apo shtetas të vendeve të tjera që duan të futen në Kosovë, janë që duhet të nënshkruajnë deklaratën për 7 ditë vetizolim në kushtet e shtëpisë së tyre apo aty ku do të qëndrojnë. Nga ky rregull përjashtohen ata qytetarë, pavarësisht nga shtetësia që kanë, të cilët me rekomandim të autoriteteve përkatëse i janë nënshtruar testit në katër ditët e fundit para të paraqitjes në kufi. Me që me siguri ka të tillë të cilët mund të kenë pasur raste kontakti, etj. dhe institucionet e vendit të tyre i kanë testuar tashmë”, thuhet në komunikatë të Ministrisë së Shëndetësisë.

MSH-ja ka përkujtuar që ka shumë pak mjekë që kryejnë testimet dhe pak epidemiologë e mikrobiologë në vend. “Në këto kushte kur Republika e Shqipërisë po kalon po ashtu nëpër të njëjtat probleme dhe kur sistemi shëndetësor i ka këto probleme të rënda të trashëguara, nuk kemi rrugë tjetër përpos se me kujdes të madh të fillojmë nga hyrje daljet e kontrolluara dhe të monitoruara për çdo ditë. Një shpërthim i ri epidemiologjik i ri në Kosovë do të ishte fatal për të gjithë sistemin dhe me aq sa patëm përvojë këta tre muaj është pak e pritshme që institucionet simotra të Shqipërisë do të mund të ndihmonin në këto kushte. Ndaj ftojmë për durim, mirëkuptim dhe solidaritet! Kemi kaluar më të vështirën, do ta kalojmë edhe këtë moment. Askush nuk duhet ta ndjejë si ndalim për të hyrë në Kosovë, por si kujdes i domosdoshëm ndaj situatës dhe kapaciteteve që i ka Republika e Kosovës”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri nga Kosova, Etrit Berisha, është i huazuar nga Atalanta…