Ministria e Shëndetësisë hap konkursin për specializimin e 1 mijë e 34 mjekëve
Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkursin për specializimin e mjekëve.
Ministri i kësaj ministrie, Armend Zemaj, ka thënë se procesin e bllokuar për katër vjet ka arritur ta zhbllokoj për tre javë.
Zemaj ka njoftuar se këtë vit do të pranohen 1 mijë e 34 kandidatë.
Ai ka thënë se rëndësi do t’i kushtohet shtimit të kapaciteteve për luftimin e pandemisë Covid-19.
“Kam kënaqësinë e veçantë që të japë lajmin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik, një proces i bllokuar për katër vjet me radhë. Krahas luftës së përditshme dhe sfiduese me pandeminë, kemi punuar edhe në procese me interes të veçantë për shëndetësinë kosovare”.
“Një prej tyre është edhe ky proces, ku falë punës së shkëlqyer të bordit qendror për shkollim specialistik e si prioritet i ministrisë edhe qeverisë, këtë proces të bllokuar për katër vjet arritëm ta zhbllokojmë për vetëm tri javë”, ka thënë Zemaj, duke shtuar se ky konkurs është një proces ndër më të rëndësishëm për profesionistët e rinj shëndetësor.
“Për katër gjenerata iu është mohuar e drejta e shkollimit duke shkaktuar deficit të kuadrove specialistike shumë me rëndësi për Republikën e Kosovës. Prandaj duke qenë i vetëdijshëm që numri i atyre që do të profilizohen në lëmi të ndryshme është shumë i madh ne kemi shfrytëzuar të gjitha mundësinë ligjore dhe buxhetore për të krijuar sa më shumë vende”.
“Ne sot shpallim hapjen e konkursit për 1 034 vende, një numër rekord, që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në vendin tonë”.
“Këto specializime ne i kemi ndarë në dy kategori. Në kategorinë e parë hyn ato që janë me rëndësi nacionale dhe që kanë të bëjnë me luftën e Covid-19, me ç’rast këta mjekë dhe specializantë e ardhshëm, menjëherë do të angazhohen për t’i ndihmuar kolegët e tyre. Në kategorinë e dytë, janë lëmit e tjera që jo në mënyrë të drejtpërdrejtë të lidhura me luftën ndaj pandemisë”, ka thënë Zemaj.
I pari i Shëndetësisë është zotuar se asnjë nuk do të mbetet pa mundësi shkollimi në Kosovë.