Ministria e Shëndetësisë jep detaje për vdekjet e së dielës nga Covid-19
Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës kanë shprehur keqardhje me rastin e vdekjes së pacientëve, të diagnostikuar me Covid-19, në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas MSh-së për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve.
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor, thuhet se deri në këto momente të gjithë pacientët e infektuar me Covid-19, kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikueshme të diagnostikimit me Covid-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK.
“Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSh dhe ShSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”.
“ShSKUK konfirmon se fluksi i pacientëve me pasqyrë të rëndë klinike nga Covid-19 është rritur ndjeshëm javët e fundit, ndërsa QKUK-ja ka rritur kapacitetet e saja të Mjekimit Intensiv, me qëllim të trajtimit të të gjithë pacientëve të spitalizuar, pavarësisht ngarkesave të mëdha. MSh dhe ShSKUK i ngushëllojnë familjarët e pacientëve që kanë humbur betejën me Covid-19”, është thënë në njoftimin e MSh-së dhe ShSKUK-së.
(F.D / Epoka e re)