Ministria e Shëndetësisë, Pacollit: Për çdo shtetas të Kosovës aplikohen masat e njëjta
Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se në rast se ish-kryediplomati dhe lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli do të kthehet në Kosovë nga Zvicra, do të futet në karantinë për 14 ditë.
Sipas njoftimit të lëshuar për medie, Ministria e Shëndetësisë, ka thënë se pavarësisht pozicioneve që kanë qytetarët e Kosovës, përpara çështjeve të shëndetit publik do të trajtohen sipas kritereve të paracaktuara shëndetësore.
“Nga mediet u njoftuam me ankesat e kryetarit të AKR-së dhe njëherësh deputetit të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli. Deri më sot në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për asnjë nga ato çka përmenden në reagimin e z. Pacolli. Siç kemi konfirmuar ditën e djeshme për rastet e kthimit të shtetasve të Republikës së Kosovës aplikohen masat e njëjta. Pavarësisht pozicioneve që kanë qytetarët tanë përpara çështjeve të shëndetit publik trajtohen jo nga pozita por sipas kritereve të paracaktuara shëndetësore”.
“Po ashtu, nuk jemi të njoftuar me asnjë praktikë nga vendet e përparuara ku dikush për shkak të pozitës nuk i nënshtrohet kritereve të parandalimit të përhapjes së pandemisë. Reagime të këtij lloji përçojmë mesazhe të gabuara tek qytetarët tanë të cilët po zbatojnë me korrektësi rekomandimet e institucioneve”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.