Ministria e Shëndetësisë, qytetarëve: Vlojeni ujin para përdorimit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) u ka bërë thirrje qytetarëve që ta vlojnë ujin para se ta përdorin atë.
“Uji para përdorimit të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike. Të shfrytëzohen resurset e sigurta ose uji i ambalazhuar. Si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit tonë situata me ujë të pijes është vështirësuar dukshëm”, është thënë në njoftimin e MSh-së.
Sipas MSh-së, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse.
“Ekipet e Institutit Kombëtar po vazhdojnë me vigjilencë të shtuar dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të pijes. Të gjitha QRShP në Kosovë janë në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare pa ndërprerë me specialistët e ekologjisë humane dhe epidemiologjisë dhe po monitorojnë situatën epidemiologjike e cila është në kontroll dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve”, është thënë në këtë njoftim.